Nis dita e katërt e protestës, gjimnazistë dhe studentë bashkohen nga të 4 anët e kryeqytetit

Nxënës të shkollave të mesme të përgjithshme nga e gjithë Tirana dhe rrethinat e Kamza, po mblidhen nga të katër anët e kryeqytetit me synim rikthimin sot në ditën e katërt të protestës, tek ministria e Arsimit.

Thuajse të gjitha shkollat shtetërore janë bojkotuar, nuk po zhvillohet mësim edhe sepse drejtoritë e tyre dhe mësuesit kanë orientuar prindërit që të shmangin sjelljen e nxënësve edhe sot.

Edhe universitetet, ato shtetërore dhe private, as sot nuk po zhvillojnë mësim.

Situata duket se po përsërit ngjarjet e tre ditëve pararendëse sepse kanë nisur incidentet e para edhe këtë mëngjes.

Në shkollën e mesme “Hydajet Lezha” të qytetit të Lezhës, janë mbledhur nxënës dhe prindër dhe po konfrontohen me policinë e cila po tregohet energjike përballë pjesëmarrësve në protestë.