Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga plagosja me armë zjarri e ndodhur në Vlorë.
Sipas informacioneve paraprake, një i ri kishte qenë duke pirë kafe dhe, pasi ka dalë nga lokali për t’u drejtuar te makina e tij, është përballur me një person që e priste me motor.
Mes tyre ka pasur një debat të shkurtër dhe, pak çaste më vonë, personi me motor ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të të riut, duke e plagosur në këmbë.
I plagosuri, rreth 30 vjeç, i identifikuar me inicialet K. Lazaj, është transportuar në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, autori është larguar nga vendngjarja me motor, ndërsa policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e tij.