Roza Lati ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me protestat në Tiranë, duke shpërndarë një mesazh me udhëzime për qytetarët që mund të përballen me ndalimin ose arrestimin nga policia. Përmes një postimi në Instagram Story, Lati ka publikuar një listë me gjashtë këshilla, ku theksi vihet te e drejta për të kontaktuar familjarët, prania e avokatit dhe kujdesi gjatë dhënies së deklaratave.
“Nëse arrestoheni”, nis mesazhi i shpërndarë prej saj, duke këshilluar qytetarët që të kërkojnë mundësinë për të kryer telefonatën që u takon sipas ligjit dhe të kontaktojnë një avokat.
Në vijim, postimi u bën thirrje protestuesve të mos nënshkruajnë dokumente apo të japin deklarata pa praninë e përfaqësuesit të tyre ligjor. Një tjetër këshillë është që të mbajnë mend orën e arrestimit dhe momentin kur janë dërguar në komisariat.
Mesazhi përmban edhe paralajmërime për presione të mundshme gjatë shoqërimit apo qëndrimit në ambientet e policisë, duke u kërkuar qytetarëve të mos pranojnë veprime nën presion.
“Mos bini pre e asnjë presioni”, thuhet në përfundim të postimit që moderatorja ka zgjedhur të ndajë me ndjekësit e saj.
Sindikata e Pavarur e Universiteteve shqiptare i ka dalë në krah protestuesve dhe ka njoftuar për një takim nesër paradite.
“Takim kombëtar i profesoratit në përkrahje të studentëve. E enjte, 15 tetor ora 10:00 para korpusit të UPT. Bashku! Mos qëndro indiferent”, është thirrja që ka bërë Sindikata e Pavarur e Universiteteve shqiptare.
Ndërkohë që një ditë më parë, protesta ka përshkallëzuar në dhunë. Protestuesit u kanë vënë flakën bizneseve private si dhe institucioneve shtetërore.
Stresi ndoshta mund të ketë kontribuar në mesin e situatës së tensionuar në Tiranë. Reperi i njohur, përkrahës i Partisë Demokratike të Sali Berishës, ka publikuar fotografinë e disa shisheve të mbushura me benzinë, të lidhura për mjete piroteknike, shkruan IndeksOnline.
Krahas fotografisë, Stresi ka shkruar se kjo është forma e vetme për të zmbrapsur policinë.
“Vetëm me këto i zbrapsni policët, e makinat, e çdo gjë. Jua garantoj 100%” shkroi Stresi.
Qysh dje, situata në Tiranë është tensionuar, me shumë protestues që kanë sulmuar me koktejë molotovi Bashkinë e Tiranës dhe tregun te Pazari i Ri.
Dhjetëra protestues janë shoqëruar në komisariat, teksa plot të tjerë kanë përfunduar në emergjencë.
Gazetari Artan Hoxha ka komentuar mosveprimin e policisë në disa situata gjatë protestës së sotme, duke thënë se sipas tij, ka ndodhur për të shmangur plagosjet e rënda nga të dyja palët.
Hoxha tha se situata e krijuar rrezikon sigurinë kombëtare, teksa shtoi se qeveria është fshehur “si struci”, duke i lënë efektivët e policisë të vetëm përballë dhunës.
“Ku është fshehur kryeministri i Shqipërisë? Duhet të dalë dhe të flasë, qoftë për ata që e kanë votuar. Nuk mund të fshihet më kryeministri. Dalin në protestë djem të rinj, nuk ka asnjë lloj reagimi.
Shteti fshihet si struci dhe i lë policët aty të hanë drurin, gurin dhe sharjet, atëherë ku jemi? Kjo situatë rrezikon seriozisht sigurinë kombëtare, dhe ti ia lë në dorë vetëm policëve atje”, u shpreh gazetari Hoxha në “Euronews”.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një mbledhje mbrëmjen e së mërkurës me kryetarët e degëve të Tiranës, deklaroi se “situata po shkon drejt një situate kritike”.
“Kriza e narkoshtetit po thellohet jo çdo javë, por çdo ditë. Revolta studentore, në një afat kohor gjithsej më pak se dyditor, faktikisht është regjistruar si revolta më e fuqishme studentore. Është regjistruar si dhuna më e egër shtetërore e përdorur ndaj protestuesve paqësorë, por nga ana tjetër, edhe vendosmëria ekstreme. Nuk kanë parë rrugët dhe sheshet e Tiranës luanë si ata studentë. Edi Rama, duke urdhëruar narko-banditët e tij për të çarë kafka dhe thyer kocka gjymtyrësh të të rinjve dhe qytetarëve që protestonin në mënyrën më paqësore, detyroi ata të përdorin çdo mjet rrethanor kundër kriminelëve me uniformë, dhunuesve të tyre”, tha Berisha.
“Janë mbi 50 studentë dhe qytetarë të plagosur nga plagë të ndryshme me thyerje të femurit, me thyerje të këmbës, me çarje të kafkës në pjesën frontale që është pjesa më e fortë e saj. Janë me dhjetëra të tjerë me plagosje të tjera në trup, pa llogaritur këtu dhjetëra e dhjetëra të cilëve iu hodhën spraj ariu në sy apo u gjuajtën me brutalitet me topa uji. Duhet thënë se studentët janë përgjigjur me një heroizëm të vërtetë. Reagimi i tyre lidhet me revoltën e tyre shpirtërore kundër narko-diktaturës”, shtoi Berisha.
Paralizohet Tirana nga protestat, shkolla e universitete bosh, biznese me qepena ulur, ultimatum Ramës deri në orën 13:00
Tirana është zgjuar këtë të enjte, 15 tetor, në një atmosferë pasigurie dhe tensioni, pas dy ditësh protestash që kanë lënë pas godina të djegura, biznese të shkatërruara dhe rrugë të dëmtuara.
Jeta e përditshme në kryeqytet është tronditur, ndërsa frika nga përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës po ndikon te shkollat, universitetet, bizneset dhe aktivitetet e qytetarëve.
Në thuajse të gjitha institucionet arsimore, shkolla të mesme dhe universitete, mësimi është ndërprerë për shkak të bojkotit të studentëve dhe gjimnazistëve, ndërsa në zonat qendrore të prekura nga protestat, një pjesë e bizneseve kanë ulur qepenat për të shmangur dëmet e mundshme.
Pas incidenteve të dy ditëve të fundit, pasiguria ka përfshirë edhe organizimin e aktiviteteve të zakonshme në qytet.
Zyrtarisht nuk ka një konfirmim zyrtar për mbylljen e të gjitha shkollave dhe universiteteve apo anulimin e çdo aktiviteti në kryeqytet. Por shumë institucione kanë publikuar lajmërime për ndërprerje të aktivitetit të tyre, pa afat.
Përtej përplasjes mes protestuesve dhe policisë, pasojat po i ndiejnë edhe qytetarët që nuk janë pjesë e protestës.
Për prindërit, shqetësimi kryesor është siguria e fëmijëve dhe vijimi i mësimit. Për pronarët e bizneseve, dilema është nëse duhet të hapin dyert apo t’i mbajnë mbyllur. Për më tepër shumë dyqane dhe njësi të tjera shërbimesh janë shkatërruar dje.
Ndërsa për qytetarët që duhet të shkojnë në punë, situata ka sjellë pasiguri për qarkullimin dhe zhvillimin normal të ditës.
Ultimatumi i orës 13:00 shton tensioninNdërkohë, protestuesit i kanë vendosur një ultimatum kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar dorëheqjen e tij deri në orën 13:00 të kësaj të enjteje.
Përmes një njoftimi të shpërndarë në rrjetet sociale, ata kanë paralajmëruar se do të rikthehen në protestë dhe, nëse Rama nuk njofton dorëheqjen brenda afatit, do të marshojnë drejt Presidencës për të kërkuar shpërndarjen e Parlamentit.
Ky paralajmërim vjen pas një nate të gjatë trazirash në Tiranë, gjatë së cilës u regjistruan sulme ndaj institucioneve shtetërore, zjarrvënie, dëmtime të bizneseve dhe përplasje me forcat e rendit.
Më herët sot, Parlamenti i kontrolluar nga socialistët e kryeministrit Edi Rama, njoftuan anulimin e seancës plenare dhe shtyrjen e saj pa afat.
Kryeministri Rama, në reagimin e tij të sotëm, ka bërë përgjegjëse opozitën për aktet e dhunës, ndërsa ka deklaruar se qeveria është e gatshme të ulet në dialog me studentët për kërkesat e tyre.
Por ndërsa politika dhe protestuesit vijojnë përballjen, qyteti po përballet me pasojat e saj.
Tirana, që zakonisht nis ditën me trafikun e mëngjesit, nxënësit drejt shkollave, studentët në auditorë dhe njerëzit që hapin bizneset e tyre, sot jeton me pikëpyetjen se çfarë do të ndodhë në orët në vijim.
Ora 13:00 pritet të jetë një moment vendimtar për vijimin e protestës. Mbetet për t’u parë nëse do të ketë një zhvillim të ri politik apo nëse kryeqyteti do të përballet me një tjetër ditë tensionesh.
Në fund, pavarësisht se si do të zhvillohen ngjarjet, janë qytetarët ata që kërkojnë të vazhdojnë jetën e tyre normalisht, të çojnë fëmijët në shkollë, të punojnë dhe të ndihen të sigurt në qytetin e tyre. /noa.al
Kryeministri Edi Rama ka mbledhur dje ministrat, në një kohë kur protestat e studentëve para Ministrisë së Arsimit dhe më pas para Kryeministrisë janë shoqëruar me tensione dhe përplasje me policinë.
Mbledhja u zhvillua ne mesdite, ndërsa protesta vijonte në rrugët e kryeqytetit. Siç raportojnë mediet, Rama u ka përcjellë ministrave qëndrimin e tij lidhur me ngjarjet, duke bërë një dallim mes personave të përfshirë në aktet e dhunshme dhe studentëve që kanë dalë për të ngritur shqetësimet e tyre.
Kryeministri mësohet të ketë deklaruar se personat që janë përfshirë në veprime të dhunshme nuk duhen konsideruar studentë. Ndërkohë, për pjesën tjetër të protestuesve, të cilët i identifikon si studentë, ai ka kërkuar që të dëgjohen dhe shqetësimet e tyre të merren në konsideratë.
Protesta nisi mesditën e djeshme para Ministrisë së Arsimit, por situata u përshkallëzua me kalimin e orëve, duke sjellë përplasje të forta me policinë. Tubimi vijoi edhe këtë të martë, ku krahas studentëve iu bashkuan edhe gjimnazistë e qytetarë të tjerë, të cilët kërkojnë largimin e qeverisë.
Pas zhvillimeve të ditës së djeshme, protestuesit janë zhvendosur tani drejt Kryeministrisë, ku tensionet dhe përplasjet me efektivët e policisë vijojnë ende.
Përshkallëzimi i protestës në Tiranë, ku disa institucione përgjatë bulevardit janë përfshirë nga flakët, ka sjellë reagime të shumta.
Për situatën në kryeqytet ka reaguar sërish Albana Koçiu, e cila ka paralajmëruar për pasojat që mund të sjellë dhuna dhe kaosi, duke kujtuar kostot që Shqipëria ka paguar në të kaluarën nga ngjarje të tilla.
Në reagimin e saj, zv. kryeministrja thekson se protestat duhet të zhvillohen pa dhunë dhe se institucionet, bizneset dhe hapësirat publike nuk duhet të bëhen objekt sulmesh. Ajo u bën thirrje qytetarëve për qetësi, vetëpërmbajtje dhe maturi në këto momente të tensionuara.
“Shqipëria e ka paguar jashtëzakonisht shtrenjtë faturën e kaosit në të kaluarën, ku në emër të zemërimit dhe revoltës, u sulmuan institucione, u shkatërrua prona dhe vendi u zhyt në një krizë që i kushtoi shumë vite zhvillimi, stabiliteti dhe besimi. Pasojat e atij kaosi e mbajtën vendin peng për dekada, duke lënë plagë që i ndiejmë ende sot. Pamjet e dhunës, flakëve dhe përplasjeve në Tiranë, na kujtojnë se sa e brishtë është vija që ndan protestën paqësore nga kaosi. Në këto orë duhet qetësi, vetëpërmbajtje dhe maturi. Institucionet janë pasuri publike, bizneset janë puna e dikujt, rrugët janë të të gjithëve dhe siguria është e drejtë e çdo qytetari. Shqipëria nuk ka nevojë të digjet për të ndryshuar. Ka nevojë të ndërtojë, të përparojë dhe të mbrojë atë që ka arritur”, shkruan Albana Koçiu.
Shkëndija e parë e protestës së sotme vjen nga Kamza, ku gjimnazistët kanë bojkotuar masivisht mësimin dhe kanë dalë në protestë.
Protesta pritet të shtrihet më tej në të gjithë Tiranën, ashtu siç ndodhi edhe dy ditë më parë, kur nxënës të shkollave të mesme dhe studentë iu bashkuan tubimeve kundër qeverisë.
Bojkoti i mësimit dhe dalja e gjimnazistëve në rrugë vjen në vijim të protestave të të rinjve, të cilat ditët e fundit janë shoqëruar me tensione dhe përplasje me policinë.