PRISNIN FUNDlN E BOTËS, ZBULOHET FAMILJA E lZOLUAR NË BODRUM PREJ 9 VlTESH

Ruinerworld është një fshat në provincën Drenthe në veri të Holandës me popullsi me më pak se 3000 banorë. Mbase bota nuk do të kish dëgjuar kurrë për të nëse një familje nuk do të ishte gjetur nga policia e mbyllur në qilarin e vogël të një ferme. Për nëntë vite kjo familje kishte qëndruar në izolim duke pritur fundin e botës.

Një 58-vjeçar dhe 6 fëmijët e tij të rritur nga mosha 16 në 25 vjeç, u gjetën pasi më i madhi prej tyre, u largua nga bodrumi dhe shkoi në lokalin më të afërt në zonë.

Dëshmitarët thanë se djali dukej konfuz dhe i çoroditur, ndërsa pronari i lokalit tregoi se bisedoi me të dhe u habit kur 25-vjeçari i tha se ishte arratisur dhe kishte nevojë për ndihmë.

Gjithashtu ai kishte treguar se kishte vëllezër dhe motra që jetonin në fermë por ai dëshironte ti jepte fund kësaj.

“Porositi 5 birra dhe i piu me një frymë. Diskutova pak me të, tha se kishte ikur dhe kishte nevojë për ndihmë. Kishte flokë të gjata, mjekër të pistë, rroba të vjetra dhe dukej i çorientuar. Ai më tha se s’kishte qenë kurrë në shkollë apo te berberi”, tha pronari i lokalit.

Sapo u njoftua policia nisi menjëherë kërkimet. Ferma e zbuluar nga ta ishte e aksesueshme vetëm përmes një ure mbi një kanal vaditës.

Policia gjeti brenda në bodrumin e fermës një burrë të shtrirë në shtrat, i cili kishte mbetur i paralizuar nga një sulm në tru. Së bashku me të ndodheshin dhe gjashtë fëmijët e tij.

Policia tha se ka ende shumë pyetje që kërkojnë përgjigje.

Nuk dihet se si ata mbijetonin në bodrum, si ushqeheshin apo çfarë i ka ndodhur gruas së familjes por sipas burimeve të para dyshohet se nëna ka ndërruar jetë dhe është varrosur në fermë.

Ndërkaq një banor i fshatit tha se kishte parë vetëm njëherë burrin në fermë, dhe kafshë si dhi apo qen, por asnjëherë fëmijë ndërsa postieri tha se familja nuk kishte postuar apo marrë kurrë asnjë letër.

“Tani që e mendoj është shumë e çuditshme,” tha ai.

Televizioni lokal RTV Drente raporton se familja gjatë gjithë këtyre viteve është ushqyer me fruta nga kopshti dhe qumësht dhie teksa shton se disa prej fëmijëve nuk ishin në dijeni “që ekzistojnë njerëz tjerë” në botë