AKSIDENTI / Doktorit i bie kondicioneri nga dritarja gjatë fjalimit, disa Rithemelues të ρΙagosur

RRUGICA E SALËS – Edhe pse Doktorin e madhërishëm e kishin siguruar se njësia e jashtme e kondicionerit ishte fiksuar mirë, hataja ndodhi, dhe pikërisht në momentin më të keq. Burimet për Patronazhistin bëjnë me dije se aparati ku Doktori mbështeste ndonjëherë dorën e lodhur nga mikrofoni, apo vendoste ndonjë gotë ujë për të njomur gurmazin e gërvishtur nga fjalimet, u shkëput dhe ra teposhtë befasisht dje në mbrëmje, në mes të mbështetësve rithemelues.

Pati një duzinë të plagosurish, që i bie përafërsisht gjysma e gjithë të pranishmëve, por për fat të mirë asnjë viktimë, thonë burimet.

Dëshmitarët deklaruan se ishte e bërtitura e Doktorit ajo që shmangu më të keqen: “Unë ju siguroj juee, bani kujdes aty pooosht se po vriti!” Dhe rithemeluesit u hapën menjëherë duke shpëtuar kokat.

Çfarë dreqin… mua më siguruan se kondicioneri ishte montuar shkëlqyeshëm… u justifikua i sikletosur Doktori, pasi u sigurua se të gjithë ishin gjallë.

Ai që u plagos më rëndë ishte Muli. Edhe pse e dëgjoi paralajmërimin e Udhëheqësit, Muli vendosi të hapte krahët për ta pritur kondicionerin. Vetëm çastin e fundit kolegët e tërhoqën mbrapsht dhe ai shpëtoi paq.

“Nuk doja të binte përtokë dhe të bëhej copë. Pse të harxhohej Doktori për të blerë kondicioner tjetër?” deklaroi Muli më pas. Ndërkaq copa llamarine dhe objekte të tjera të forta u shkëputën nga aparati dhe gjakosën këmbët e disa të pranishmëve, por pa qeder.

Pasi e mori veten nga tronditja, Doktori kapi sërish mikrofonin dhe foli: “Ja zotërinj! Regjimi kriminal i Edit të krimit i ka larguar të gjithë teknikët e zotë të kondicionerëve drejt Gjermanisë, prandaj ndodhin të tilla ngjarje!”

***

Theshethemet gëluan menjëherë më pas. Disa frekuentues të bareve aty pranë, që bëjnë sehir çdo mbrëmje kush vjen e kush ikën nga Rithemeluesit, bënë be e rrufe se kondicioneri ishte hedhur qëllimisht, duke shënjestruar Baz Gardhin. Ishte inteligjenca e pakrahasueshme e Mulit dhe akti i tij vetëmohues për të pritur me duar aparatin, ajo që e shpëtoi gabimisht për gjysmë sekonde Gardhin.

Por Zeni e përgënjeshtroi menjëherë këtë insinuatë.

“Kjo është shpifje e turpshme. Po të donim t’i binim Baz Gardhit, do kishim hedhur një objekt më të menaxhueshëm”, sqaroi Zeni për Patronazhistin, “fjala vjen, një frulator, një mikser ose tekefundit, një komplet filxhanësh. Ti mendon se babi im është në gjendje t’i vrasë të gjithë, vetëm për të hequr qafe njërin mes tyre? Ç’janë këto budallallëqe”.

***

E rëndësishme është që incidenti u mbyll me kaq. Megjithatë, disa episode të vockla gjatë ditëve të fundit mbeten të pashpjegueshme. Për shembull, Baz Gardhi vërtet nuk pësoi gjë nga kondicioneri, por herë pas here i kanë rënë në kokë ose në trup, kokrra domatesh, nektarina e lëkurë bostani. Ngjarja më serioze ishte një kokër patateje gjysmë kile në çaçkë të kokës, që e la të trullosur dy ditë rresht.

Por për rithemeluesen e stazhionuar Adriana Kështjella, dukuritë paranormale janë të njohura edhe nga shkenca. “Vërtet Doktori është i Gjithëpushtetshëm dhe i Gjithëditur, por nuk mund t’ja atribuojmë Atij çdo objekt që bie nga lart. Pastaj Pallati i Doktorit ka shumë kate. Kushdo mund të hedhë gjëra nga lart, për të na përçarë!”