Skandali me fondet e bujqësisë në Greqi, Parlamenti i heq imunitetin 13 deputetëve të Demokracisë së Re

Parlamenti i Greqisë ka miratuar heqjen e imunitetit për 13 deputetë të përfshirë në një skandal me fondet e bujqësisë, ku dëmi i shkaktuar llogaritet në rreth 23 milionë euro.

Rezultatet treguan mbështetje pothuajse unanime për heqjen e imunitetit, me 285 deri në 287 vota “pro” dhe vetëm 2 vota “kundër”.

Sipas mediave greke, të paktën 10 nga deputetët e përfshirë votuan vetë pro heqjes së imunitetit të tyre.

Deputetët, pjesë e partìsë në pushtet Demokracia e Re, përmenden në dy dosje të reja të Prokurorisë Europiane, që po heton keqmenaxhimin e subvencioneve përmes agjencisë shtetërore OPEKEPE.

Sipas hetimeve, rreth 20 politikanë, përfshirë ligjvënës aktivë dhe ish-deputetë, janë përfshirë në skemë. Ata dyshohet se kanë ndërhyrë në favor të përfituesve të caktuar, ndërsa përgjimet ligjore i tregojnë duke diskutuar raste konkrete fermerësh.

Të gjithë të përfshirët i kanë mohuar akuzat dhe kanë kërkuar vetë heqjen e imunitetit, duke deklaruar se do të mbrojnë pafajësinë e tyre në gjykatë. Disa prej tyre e kanë justifikuar ndërhyrjen si pjesë të rolit të tyre si përfaqësues të qytetarëve.

Sipas autoriteteve greke, skema mashtruese funksionon që nga viti 2018 dhe lidhet me përfitimin e paligjshëm të subvencioneve përmes deklarimeve të rreme për toka dhe bagëti. Në disa raste, përfituesit nuk kishin asnjë lidhje me bujqësinë.