Te gjithe qe kane nje makine do paguajne me pak nëse

Tregu i produkteve të sigurimit të makinave ka pësuar ndryshime të rëndësishme gjatë katër muajve të parë të këtij viti. Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), primi mesatar i sigurimit të makinës me MTPL të brendshme, ka vijuar të bjerë, kësaj radhe me 2.2%, si rezultat i zbatimit të skemës së re bonus-malus dhe konkretisht faktorit të historisë së dëmeve, ku makinat me zero aksidente gjatë vitit 2025, kanë paguar një prim më të ulët sigurimi se më parë.

E thënë me fjalë të tjera, në janar-prill ka pasur më shumë shoferë që janë shpërblyer me çmime më të favorshme sigurimi, për shkak të sjelljes së mirë në drejtimin e makinës.

Nga ana tjetër, edhe dy produktet e tjera të sigurimit motorik, Kartoni Jeshil për automjetet e regjistruara në Shqipëri të cilat udhëtojnë jashtë vendit dhe Sigurimi Kufitar për automjetet me targa të huaja që qarkullojnë brenda territorit të Shqipërisë vijojnë rënien. Statistikat flasin për 2% më pak prime për Karton Jeshil dhe 8.8% më pak për Sigurimin Kufitar.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare thekson se rënia është pasojë e lehtësimit të lëvizjes së autoveturave drejt vendeve kufitare, anëtare të CEFTA-s, përcjell Scan Tv.

Struktura e tregut nuk ka ndryshuar. Segmenti Jo-jetë vazhdon të dominojë, duke përbërë 90.77% të totalit. Primet e shkruara bruto arritën në rreth 7.54 miliardë lekë, me rritje prej 8.8%, ndërsa dëmet e paguara bruto arritën në rreth 2.80 miliardë lekë, me rritje prej 16.6%.

Sigurimet e detyrueshme motorike mbeten portofoli dominues i tregut Jo-jetë, duke zënë 65% të tij, me prime të shkruara bruto që arritën në rreth 4.9 miliardë lekë, në rritje me 5.43%, dhe dëme të paguara bruto që arritën në rreth 1.88 miliardë lekë, në rritje me 13.6%. Ndërkohë, numri i kontratave dhe i dëmeve paraqitet relativisht i qëndrueshëm, me rritje të moderuara, respektivisht 0.5% dhe 2.5%.