Zgjedhjet për në Parlamentin Europian, Berisha bën thirrje të votohet paria e Miçotaqisit që kandidon me Belerin dhe Pirro Dhimën

I ndodhur nën arrest shtëpie, e vetmja dritare komunikimi e Sali Berishës është ajo e ballkonit të tij.

Në ditën e tretë të zgjedhjeve europiane, lideri i Rithemelimit bëri thirrje që të votohet për  kandidatët e djathtë mes tyre edhe Fredi Beleri, i cili edhe pse i dënuar me dy vite burg për korrupsion zgjedhor në Shqipëri garon si kandidat i partisë së Kyriakos Mitsotakis “Demokracia e Re”, në zgjedhjet për institucionet e reja te BE.

“Fati e ka sjellë që shqiptarët të jenë sot më shumë votues në Europë sesa në vendin e tyre. Ndaj dhe unë i ftoj të gjithë anëtarët dhe mbështetësit e PD kudo që janë të votojnë partitë e qendrës së djathtë. Në tërësi të votojnë për Forza Italia në vendin fqinj, Nea Demokracinë, CDU-në, të votojnë Partinë Popullore Austriake, të votojnë partitë e qendrës së djathtë në Kroaci, Slloveni dhe mbarë vendet e tjera”, bëri thirrje Berisha.

E ndërsa shqiptarët që ndodhen jashtë vendit kanë mundësi të jenë votues në Europë por në vendin e tyre jo, Berisha u bëri një premtim.

“I garantoj se në këtë vend zgjedhje të tjera nuk do zhvillohen pa votën e tyre, pa pjesëmarrjen e tyre. Le të tmerrohet Edi Rama nga vota e tyre, por zgjedhje Shqipëria nuk ka dhe nuk mund të ketë pa votën e diasporës dhe emigracionit”, tha ai.

Por, ndërsa të djathtë dhe të majtë zotohet përditë e më shumë se se do bëjë të mundur votën e diasporës në zgjedhjet e 2025, kur vjen fjala tek veprat politika ngel në klasë, pasi struktura që ngritën me dakortësi në Parlament nuk ka prodhuar asnjë rezultat konkret për të realizuar këtë të drejte të mohuar për emigrantët shqiptarë.